Njësitë për matjen e kohës
Njësia e kohës në Sistemin Ndërkombëtar të Njësive (SI) është sekonda.
Njësitë kryesore të kohës në astronomi janë sekonda (e përcaktuar përmes dridhjeve të atomit të ceziumit) dhe viti (i përcaktuar nga lëvizja e Diellit). Koha jepet në Kohën Universale (Universal Time - UT), që përfaqëson kohën mesatare në Tokë, në gjatësi gjeografike zero.
Ndryshe nga sekonda, e cila ka një përkufizim shumë të saktë, për astronomët ekzistojnë disa lloje të vitit dhe ditës, sepse trupat qiellorë lëvizin vazhdimisht në raport me njëri-tjetrin. Për shembull, një ditë është koha që i duhet Diellit për t’u rikthyer në të njëjtin pozicion në qiell, por astronomët përdorin edhe “ditën yjore” gjatë të cilës yjet rikthehen në të njëjtin pozicion. Kjo ditë yjore "sidereale" është 4 minuta më e shkurtër se dita diellore.
Një vështirësi tjetër në matjen e kohës është përcaktimi i momentit nga i cili fillon numërimi i ditëve apo viteve. Meqenëse në Tokë përdoren kalendarë të ndryshëm, astronomët përdorin sisteme të ndryshme kohore sipas origjinës dhe referencës së zgjedhur. Matja e kohës është një proces shumë kompleks, siç tregohet në këtë faqe.