Përkufizimi i një ekzoplaneti
Një përkufizim i thjeshtë është: ekzoplaneti është një planet që ndodhet jashtë Sistemit Diellor, pra nuk rrotullohet rreth Diellit tonë.
Por, a është një planet çdo trup që rrotullohet rreth një ylli ? Dhe, a ka planetë që nuk rrotullohen rreth ndonjë ylli?
Përgjigjet nuk janë të thjeshta, jo vetëm sepse ekzistojnë dy mënyra (qasje) për të përkufizuar planetet, por edhe sepse kufijtë mes këtyre grupeve (domains) planetare janë të paqartë.
1. Mënyra e parë, struktura e brendshme dhe rrezatimi
Një ekzoplanet përcaktohet para së gjithash nga fakti se nuk emeton dritë të dukshme (përveç dritës që merr nga ylli dhe më pas e pasqyron), ndërsa një yll shkëlqen për shkak të reaksioneve të bashkimit bërthamor të hidrogjenit që ndodhet në brendësinë e tij. Rrezatimi që vjen nga vetë planeti, i cili është shumë më i ftohtë se ylli, kufizohet në spektrin infra të kuq.
Kur një re në mjedisin ndëryjor vetëngjeshet (tkurret) dhe bëhet mjaft masive (të paktën 70 deri në 90 masa Jupiteri, në varësi të rastit), fillon djegia e hidrogjenit, reja shndërrohet në një yll që do të emetojë dritë të dukshme për miliona apo edhe miliarda vjet. Nëse reja është më pak masive, por ka më shumë se 13 masa Jupiteri, në të do të fillojë reaksioni i bashkimit të deuteriumit. Këto objekte do të jenë të ndritshme (emetojnë dritë e dukshme) për disa qindra miliona vjet, përpara se të shuhen, të ftohen dhe të bëhen të padukshme. Këto objekte quhen xhuxhë të errët (brown dwarf). Nëse reja është edhe më pak masive, pra më pak se 13 masa të Jupiterit, ajo shndërrohet në një objekt planetar, rrezatimi i të cilit kufizohet në spektrin infra të kuqe.
Vëzhgimet nuk japin gjithmonë një vlerë për masën. Në veçanti, metoda e shpejtësive radiale jep vetëm një kufi të poshtëm për masën. Pa vëzhgime (të dhëna) të tjera, është e pamundur të njihet nëse objekti është një planet apo një xhuxh i errët.
2. Skenari i formimit
Një qasje tjetër për të përcaktuar ekzoplanetët bazohet në pozicionin e tyre dhe mënyrën e formimit. Skenari i formimit të planetëve është i njohur në vijat e përgjithshme: ata janë formuar në diskun e gaztë me pluhur që rrethonte Diellin pas lindjes së tij, dhe janë krijuar nga grumbullimi i grimcave shkëmbore dhe akulli (planetë të ngurtë). Për disa prej tyre, bërthamës së ngurtë iu shtua gaz, duke formuar planetët e gaztë.
Vëzhgimet tregojnë se, në shumë mjedise yjore, ekzoplanetët rrotullohen në një plan pingul me boshtin e rrotullimit të yllit. Për më tepër, disqet rreth yjeve të rinj janë të trazuar nga prania e planetëve të vrojtur ose të dyshuar. Këto vëzhgime tregojnë se skenari i mësipërm, i imagjinuar për Sistemin Diellor, është i zakonshëm në historinë e formimit të yjeve. Por gjithashtu, dihet se kjo histori mund të vazhdojë me migrime që i largojnë ekzoplanetët nga disku ku kanë lindur, duke i nxjerrë në hapësirën ndëryjore, ose duke i afruar drejt yllit.
Disa prej këtyre ekzoplanetëve të dëbuar janë zbuluar, dhe ka një debat të vazhdueshëm nëse këto objekte të lira (free-floating objects) duhet të përjashtohen nga familja e planetëve...
Nga ana tjetër, xhuxhët e errët dhe yjet formohen nga ngjeshja e reve me gaz në mjedisin ndëryjor, qoftë në mënyrë të pavarur apo si pjesë e sistemeve të shumëfishta. Ky mekanizëm mund të formojë objekte me masë Jupiteri, ose ndoshta dhe më të vogla.
Sipas kësaj përkufizimi, planetët janë trupa qiellorë të formuar në një disk rreth yllit. Dëshmia për këtë mënyrë formimi është prania e një bërthame të ngurtë në një planet, ndërsa yjet dhe xhuxhët e errët kanë një strukturë të brendshme pa bërthamë të ngurtë.
Për të përdorur këtë përkufizim, ne duhet të dimë dendësinë dhe përbërjen e objekteve të vëzhguara, por këto parametra janë shumë të vështirë për t’u përcaktuar.
3. Dy përkufizime
Këto dy përkufizime nuk kanë kufij të njëjtë, dhe popullatat e objekteve përzihen: objekte të formuara në një disk mund të arrijnë të ndezin bashkimin e deuteriumit. Objekte të formuara larg çdo ylli mund të kenë masë më të vogël se $12 M_{\text{Jup}}$. Disa trupa mund të formohen në një disk dhe më pas të dëbohen, duke u bërë planetë që lëvizin lirisht: a duhet të quhen këto ende planetë?
4. Përkufizimi i IAU-së (International Astronomical Union)
Aktualisht nuk ka ende një përkufizim zyrtar për ekzoplanetet. Një version pune i IAU është:
Objektet të cilat
- kanë një masë më të vogël se kufiri për reaksionet e bashkimit bërthamor të deuteriumit (vlerësuar aktualisht si 13 herë masa e Jupiterit për objektet me të njëjtën përbërje fillestare si ajo e Diellit në elementë më të rëndë se heliumi),
- dhe që janë në orbitë rreth yjeve, xhuxhëve errët ose mbetjeve yjore,
- dhe ku raporti i masës me objektin qendror është më i vogël se raporti që çon në paqëndrueshmëri të pikave të Lagranzhit L4 dhe L5 ($\frac{M}{M_{\text{central}}} < \frac{2}{25 + \sqrt{621}} \simeq \frac{1}{25}$), konsiderohen “planetë”, pavarësisht nga mënyra e formimit të tyre.
- Masa minimale e nevojshme që një objekt jashtë sistemit diellor të konsiderohet planet duhet të jetë e njëjtë me atë që përdoret në Sistemin Diellor, domethënë: të ketë mjaftueshëm masë që graviteti vetjak të mbizotërojë ndaj forcave të brendshme në trupin e ngurtë dhe të pastrojë orbitën e tij nga trupa të tjerë në afërsi të saj, në mënyrë që ata të mos ia turbullojnë këtë orbitë.
5. Enciklopedia e Sistemeve Ekzoplanetare
Përballë vështirësisë për të përcaktuar kufij mjaftueshëm të qëndrueshëm mes këtyre objekteve astrofizike, katalogu i Enciklopedisë së Sistemeve Ekzoplanetare përfshin objekte me masë deri në $60 M_{\text{Jup}}$, kufi përtej të cilit struktura e brendshme e objekteve ndryshon, siç tregohet nga grafiku i mëposhtëm masë-dendësi.
6. Klasifikimi i ekzoplanetëve
Ne mund të klasifikojmë ekzoplanetët sipas vetive të tyre
dhe të marrim këtë tabelë