Vetitë e ekzoplanetëve
- Shumë ekzoplanetë, familje të ndryshme dhe histori të ndërlikuara
- Shumica dërrmuese e yjeve, qofshin të rinj, të vjetër apo edhe të vdekur si xhuxhët e bardhë, duket se shoqërohen me planetë. Mjedisi ndëryjor gjithashtu duket se përmban objekte me masë planetare që lëvizin lirisht (a duhen quajtur planetë?).
- Ekzoplanetët nuk ngjajnë me planetët e Sistemit Diellor. Ka ekzo-Jupiterë, ekzo-Saturnë, por jo ekzo-Neptunë apo ekzo-Tokë. Kjo nuk do të thotë se gjigantët e akullt apo planetët e ngjashëm me Tokën nuk ekzistojnë, por që janë përtej mundësive të metodave tona aktuale të zbulimit.
- Bazuar në vëzhgimet aktuale, duket se ka më pak planetë gjigantë të gaztë sesa planetë të vegjël të ngurtë, por shumica e ekzoplanetëve të zbuluar janë nën-Neptunë: me të paktën dy rreze tokësore dhe disa dhjetëra masa tokësore, këta nën-Neptunë janë më pak të dendur se planetët e ngurtë dhe ndoshta të përbërë nga akuj.
- Këta nën-Neptunë duket se janë më të rrallë pranë yjeve, ndoshta për shkak të avullimit të atmosferës për shkak të rrezatimit UV të yllit.
- Zona e banueshme (ZB) rreth një ylli është rajoni në të cilin kushtet fizike në sipërfaqen e një planeti e bëjnë të mundur praninë e ujit të lëngshëm. Vlerësojmë se 20% e yjeve kanë një planet të ngurtë në ZB. Rreth pesëdhjetë planetë janë zbuluar në ZB të yllit të tyre në Galaktikën tonë. Për shembull, ylli më i afërt me Diellin, Proxima Centauri, ka një planet në ZB.
- Ekzoplanetët kanë një larmi të madhe orbitash:
- Zbulimet e 51 Peg b dhe planetëve të ngjashëm me të, të quajtur “Jupiterë të nxehtë” — planetë gjigantë që orbitojnë shumë afër yllit të tyre, janë një mister që ende nuk është zgjidhur: këta planetë ose janë formuar më larg dhe kanë migruar drejt yllit, ose janë formuar aty ku ndodhen përmes një mekanizmi ende të paidentifikuar. Jupiterët e nxehtë shpesh janë planetë të izoluar, prandaj duhet konsideruar një mekanizëm formimi që ndodh pa bashkëveprim me planetë të tjerë.
- Ka orbita shumë eliptike, veçanërisht për planetët e izoluar. Në sistemet me disa planetë, orbitat eliptike kanë çuar në përplasje katastrofike, ndërsa planetët e mbetur ndjekin orbita më rrethore.
- Ka gjithashtu ekzoplanetë me orbita shumë të pjerrëta, orbita polare (që kalojnë mbi polet e yllit) apo edhe orbita retrograde (që lëvizin në drejtim të kundërt). Meqenëse në parim planetët formohen në diskun përreth yllit që rrotullohet në të njëjtin drejtim si ylli, këto pjerrësi të mëdha janë një tjetër tregues që orbitat e planetëve ndryshojnë pas formimit të tyre.
- Në sistemet me disa planetë tokësorë, përmasat e tyre, masat dhe distancat nga njëri-tjetri tregojnë se këto sisteme kanë ndërvepruar derisa kanë arritur një gjendje të qëndrueshme, në të cilën ndodhen të rreshtuar në një mënyrë të rregullt.
- Disa dhjetëra ekzoplanetë janë gjetur në orbita rreth yjeve binare dhe disa qindra rreth yjeve që janë pjesë e sistemeve me shumë yje (duhet theksuar se shumica e yjeve gjenden në sisteme të shumëfishta).
- Objekte me masë planetare janë zbuluar edhe në mjedisin ndëryjor. Duke pasur parasysh historinë e trazuar që duket se kanë kaluar shumë sisteme planetare, këto objekte mund të jenë planetë të dëbuar nga sistemi i tyre. Megjithatë, ato mund të jenë edhe mikro-yje, të formuar në retë ndëryjore, por jo mjaft masivë për të ndezur reaksione bërthamore, të cilat do t’i kishin bërë të ndritshëm.
Ne besojmë se ekzistojnë disa metoda për formimin e planetëve: me anë të akumulimit (accretion) në një disk, si planetët e Sistemit Diellor; me anë të paqëndrueshmërisë gravitacionale së resë, në mënyrë të ngjashme me yjet; me anë të paqëndrueshmërisë në disqet masive rreth yjeve, etj. Kjo do të shpjegonte llojshmërinë e madhe të sistemeve ekzoplanetare.
Janë vëzhguar qindra disqe protoplanetare dhe disa planetë në proces formimi brenda këtyre disqeve, siç është rasti i PDS 70.
- Botë të çuditshme
Ne kemi nisur të vlerësojmë vetitë si temperatura, dendësia dhe përbërja e disa ekzoplanetëve.- Planetë që janë aq afër yllit, sa humbin një pjesë të atmosferës, në mënyrë të ngjashme me bishtin e pluhurit të kometave.
- Planetët oqeanikë ndoshta ekzistojnë: një planet i formuar larg yllit të tij mund të ketë një bërthamë të madhe akulli. Nëse migron drejt yllit, humbet atmosferën, akulli shkrihet dhe bërthama mbulohet nga një oqean uji në të gjithë sipërfaqen e planetit.
- Planetë që janë të mbuluar me lavë të shkrirë. Për shembull, 55 Cancri e është mesatarisht 60 herë më afër yllit të tij sesa Toka është me Diellin dhe temperatura e tij arrin deri në 2,500°C në disa vende.
- Planetë të lirë (FFP) që ndodhen larg çdo ylli. Ata mund të jenë dëbuar pas formimit rreth një ylli, ose janë formuar si yje në mjedisin ndëryjor.
- Disa ekzoplanetë janë 10 herë më pak të dendur se Saturni (i cili vetë është më pak i dendur se uji), ndërsa të tjerë janë po aq të dendur sa plumbi. Kjo është ndoshta vetia më intriguese e ekzoplanetëve.
- Zona e banueshme rreth një ylli është rajoni në të cilin kushtet fizike në sipërfaqen e një planeti e bëjnë të mundur ekzistencën e ujit të lëngshëm. Mund të vlerësojmë se 20% e yjeve kanë një planet të ngurtë në ZB. Rreth pesëdhjetë planetë janë zbuluar në ZB të yllit të tyre në Galaktikën tonë. Për shembull, ylli më i afërt me Diellin, Proxima Centauri, ka një planet në ZB.
- Planetët e yjeve M duhet të përshtaten me yjet me ndriçim të ndryshueshëm, për të cilët zona e banueshme lëviz.
- Planetët Hycean me oqeane të mëdha nën një atmosferë hidrogjeni janë kandidatë premtues në kërkimin për jetë.
- Me dy yjet e tij, Tatooine (planeti imagjinar që orbiton një sistem binar në Star Wars) na duket i njohur.
Pozicioni i ekzoplanetëve në raport me ZB të yllit të tyre. Dy kufijtë e zonës së banueshme bazohen në modele të ndryshme atmosferike. Kufijtë optimistë (vija të ndërprera) korrespondojnë me planetët Mars dhe Afërdita, vëzhgimet e të cilëve tregojnë se ata kanë pasur ujë të lëngshëm në sipërfaqe në një periudhë të kaluar të historisë së tyre.
(Cloutier, Encyclopedia of Astrophysics, Elsevier, 2024)
- Përmirësimi i metodave të vëzhgimit
- Tani ekzistojnë më shumë metoda zbulimi, të cilat janë më të avancuara. Ato mundësojnë identifikimin e planetëve më të vegjël se Toka dhe parametrave të rinj, veçanërisht në lidhje me përbërjen e atmosferës së ekzoplanetëve.
- Vëzhgimi i tranziteve (kalimet para ose pas yllit) është veçanërisht zbulues: tranziti primar, kur planeti kalon përpara diskut të yllit, mundëson matjen e madhësisë së planetit. Për disa planetë, është e mundur të zbulohet edhe tranziti sekondar, domethënë kalimi i planetit pas yllit. Ndonjëherë mund të shohim dritën e yllit të reflektuar nga planeti, emetim nga vetë planeti, ose deformimin e yllit për shkak të forcave baticore. Përveç madhësisë së planetit, vëzhgimi i këtyre fenomeneve jep informacion mbi temperaturën e tij, përbërjen e atmosferës, madje edhe për praninë e planetëve të tjerë, satelitëve apo unazave planetare. Të gjitha këto matje janë jashtëzakonisht të vështira, në kufijtë e kapacitetit të instrumenteve tona. Ato janë të mundshme vetëm për një numër të vogël sistemesh të afërta dhe mbështeten në modele. Për shembull, për të matur rrezen e një planeti me metodën e tranzit, duhet të njohim rrezen e yllit, e cila zakonisht përcaktohet përmes krahasimit me modele të zhvillimit yjor.
- Sofistikimi i metodës së shpejtësisë radiale lejon përcaktimin e parametrave të rinj, si për shembull pjerrësia e planit orbital të planetit në raport me boshtin e rrotullimit të yllit.
- Vëzhgimi i drejtpërdrejtë (Imaging method) i planetëve gjigantë të rinj ofron informacion të rëndësishëm: kjo teknikë ka çuar në zbulimin e ekzoplanetëve në pjesën e jashtme të sistemeve ekzoplanetare dhe në studimin e dritës së emetuar nga këta ekzoplanetë. Të dhënat ndihmojnë për të kuptuar mënyrën se si formohen dhe evoluojnë planetët dhe atmosferat e tyre.
- Përfundime
Ekzoplanetologjia (Shkenca e studimit të ekzoplanetëve) është ende në fazat e para te zhvillimit, dhe një numër instrumentesh do të jenë së shpejti në gjendje të zbulojnë dhe eksplorojnë mijëra ekzoplanetë, duke u mundësuar astronomëve të hartojnë larmishmërinë e gjerë të sistemeve ekzoplanetare, por edhe sisteme gjithnjë e më të ngjashme me Sistemin tonë Diellor: misioni Gaia i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (European Space Agency - ESA) është në funksion që nga viti 2013. Në saje të jetëgjatësisë mbi 10 vjet të satelitit, versionet 2026 dhe 2030 të katalogëve GAIA (https://cnes.fr/projets/gaia) do të pasurojnë dijet tona me mijra ekzoplanetë të vrojtuar përmes tranzitit dhe astrometrisë. Misionet Nancy Grace Roman të NASA-s dhe PLATO të ESA-s do të vazhdojnë të përdorin metodën Tranzit, në vijim të punës së Corot dhe Kepler, për të eksploruar sisteme të ngjashme me Diellin. Misioni ARIEL i ESA-s do të jetë i pari që do studiojë atmosferat e ekzoplanetëve për të zbuluar historinë e formimit të tyre, nga gjigantët e gaztë deri tek nën-Neptunët e çuditshëm.