Trupi i zi

Temperatura dhe trupi i zi:

Fizikanët shpesh e ndajnë spektrin në dy përbërës: njëri që varet nga temperatura e trupit, dhe tjetri nga përbërja kimike e tij. Spektri i trupit të zi është përbërësi i parë. Përbërësi i dytë përmban vijat spektrale të emetimit ose absorbimit, të cilat varen nga lënda prej së cilës është përbërë objekti.

Spektri i trupit të zi është një model teorik: ai përfaqëson rrezatimin elektromagnetik të një objekti që nuk emeton vija spektrale, por vetëm rrezatim që varet nga temperatura e tij.

Një trup i zi emeton në të gjitha gjatësitë e valëve, por gjatësia e valës që i korespondon intensitet maksimal ($\lambda_{max}$) varet nga temperatura. Sa më i nxehtë të jetë objekti, aq më shumë $\lambda_{max}$ zhvendoset drejt gjatësive më të shkurtra. Meqenëse drita e kuqe ka gjatësi vale më të madhe se drita blu, një yll blu është më i nxehtë se një yll i kuq.

Disa spektra të trupit të zi në temperatura të ndryshme: 100 K (temperaturë tipike për planetet), 1 000 K dhe 10 000 K (temperatura tipike për një yll të nxehtë), 100 000 K (temperatura e një xhuxhi të bardhë).
(Observatori i Parisit / ASM)

Ligji i zhvendosjes së Wien-it jep gjatësinë e valës për të cilën intensiteti i rrezatimit është maksimal: $\lambda_{max} \text{(në m)} = \frac{0.003}{T}\text{K}$

Duke matur pozicionin e emetimit maksimal në spektrin e një trupi, mund të përcaktojmë temperaturën e tij.

Për shembull, trupi i njeriut ka temperaturë 37°C, pra $37 + 273 = 310^{\circ} \space \text{Kelvin}$. Kjo temperaturë korrespondon me një gjatësi vale $\lambda_{max}$ prej: $9.7 \times 10^{-6}$m. Pra, trupi i njeriut emeton rrezatim me gjatësi vale rreth 10 mikrometra, që i përket rrezatimit infra të kuq.

Dielli, me një temperaturë prej 5,780 K, ka intensitetin maksimal të emetimit në pjesën “e dukshme” të spektrit elektromagnetik. Por, më saktë do të ishte të thuhej e kundërta: spektri “i dukshëm”, me fjalë të tjera, ndjeshmëria e syrit të njeriut, korrespondon me emetimin maksimal të Diellit.

(VIJON: Efekti Doppler)

 

Kudo në faqe