Gjendjet e lëndës

Meqenëse formohen nga yjet, atomet janë pothuajse të përjetshme në ekzistencën e tyre. Megjithatë, ato mund të kombinohen në mënyra të ndryshme për të formuar molekula, të cilat organizohen sipas kushteve të temperaturës dhe shtypjes së mjedisit. Për shembull, atomet e oksigjenit (O) dhe hidrogjenit (H) kanë ekzistuar për miliarda vjet, ndërkohë që molekulat e ujit (H20) mund të shpërbëhen lehtësisht, duke rikthyer hidrogjenin dhe oksigjenin.

Lënda ekziston kryesisht në tri gjendje fizike:

  • E ngurtë: atomet (ose molekulat) janë shumë afër njëri-tjetrit dhe të lidhur fort.
  • E lëngët: atomet (ose molekulat) mund të lëvizin në lidhje me njëri-tjetrin.
  • E gaztë: atomet (ose molekulat) janë larg nga njëri-tjetri dhe lëvizin lirisht.

Atomet mund të humbasin elektrone dhe të shndërrohen në jone. Kur lënda përbëhet nga bërthama të veçuara dhe elektrone të lira, ajo quhet plazmë.

Nxehja e një trupi shkakton lëvizje më të madhe të atomeve dhe molekulave, duke bërë që lënda të kalojë nga gjendja e ngurtë në të lëngët, e më pas në gjendje të gaztë. Temperatura e kalimit nga një gjendje në tjetrën varet nga vetë lënda, por edhe nga kushtet e shtypjes në të cilat ndodhet. Një sasi e caktuar lënde (me të njëjtin numër atomesh apo molekulash) zë më shumë hapësirë në gjendje të gaztë sesa në gjendje të lëngët apo të ngurtë.